Kaloi pothuajse një vit pa u parë.
Një vit pa shkruar, një vit pa frymëzim, një vit plot me shpërqëndrime
virtuale. Këtë blog e konsideroja si suksesin më të madh personal, ndonëse
shumë prej jush mund ta konsideroni atë “gjënë” tjetër që shpirti im artistiko
- kozmopolitan s’më lejon ta pëlqej.
E kerkova frymëzimin në shumë
vende, në shumë eksperienca, në shume drogëra, por s’e gjeta. Duhet të ndodhte
diçka shumë e madhe që të filloja të shkruaja prapë. Shpresoj të jetë kaq e
madhe sa t’i kthehem vërtetë këtij blogu, jo vetëm për këtë shkrimin varin ka… që po lexoni.
Mos u shqetësoni! S’ka ndodhur
ndonjë gjë e madhe. Nuk kam thyer ndonjë
gjë, nuk kam zbuluar asnjë sëmundje të pashërueshme, nuk kam takuar Edi Ramën
dhe nuk kam lënë ndonjërën shtatzënë.
I zhytyr në një monotoni të
perditshme dhe i mësuar që të bëj vetëm gjëra që i pëlqej, vendosa të bëj diçka
që urrej e që është aktiviteti fizik. Kështu, prej 2-3 javësh, frekuentoj një
palestër pothuajse përditë. Një mjedis i
vogël dhe i zhurmshëm, plot me meshkuj me trupa të deformuar, laca 24 karatësh,
hauz rumun dhe tek - tuk ndonje byçë e
lezetshme që hahet me sy nga të gjithë. Të paktën nuk vjen era djersë. Rregullorja
e brendshme e palestrës shprehet qartë mbi perdorimin e antidjersës.
Të gjitha keto gjera i mendoj
para se të shkoj në palestër. Shpresoj që
vrulli dhe pasioni për shtangën të mos m’i bllokojë këto mendime kur të jem në
shtëpi para tastierës.
Palestra ime s’ka ndonjë gjë
ndryshe nga e juaja. “Shqiptarët janë më të ndërgjegjësuar tani dhe jetojnë më
shendetshëm se përpara” do thoshte gazetarja e “Pasdite në Top Channel". Po, sigurisht. Nuk ka gjë më të shëndetshme sesa të djersish
në një dhomë plot dioksid karboni, të
acarosh muskujt me shtangën gjigande dhe me pas të ndezësh një cigare në ajër të
pastër.
Edhe muhabetet ne dhomën e
zhveshjes kanë gjithmonë në qendër, shëndetin.
Një natë, dy shokë po diskutonin se sa “sëqe” do mjaftonin për të kaluar
fundjavën, ndërsa një herë tjetër, dikush po ankohej se kokaina e herës së
fundit s’e kishte mpirë fare.
Çdo ditë kujtohem se duhet te
hedh muzikë në iPhone-in tim (kam blerë iPhone tani) në mënyre që t’i
anashkaloj disa muhabete dhe zhurma, por gjithnjë harroj dhe detyrohem të jem
pjesë e ambientit. E kështu, vishem, fus
atletet në çantë dhe nisem për në shtëpi. Largohem nga ai ambient me njerëz
plot shpresë…plot shpresë që do bëjnë seks këtë verë.
