Sunday, November 3, 2013

Check-in VIP, pija 20 mijë lekshe dhe italianët e ZKM


Jo më larg se dje, aksioni i rradhës i policisë mbylli disa lokale, dhe la disa të tjerë hapur pa u kuptuar pse. E kështu, njerëzit shkonin nga lokali që ishte mbyllur në lokalin që ishte akoma hapur me shpresën se aty s'do vinte policia e ta mbyllte.
Statuse në Facebook u vunë, lot u derdhën e zemra u thyen. Pati edhe kërcënime të tipit: “Nëqoftëse e mbyllin edhe njëherë Radion, une do të dal në protestë para Ministrisë së Brendshme.
Por lokali që theu më shumë zemra ishte Lollipop.
I shqetësuar rrallë nga policia, ky lokal ishte surpriza e natës së djeshme. Për mua personalisht më shqetësuese është ajo çfarë ka ndodhur këto kohët e fundit në lokale të tilla.
Lollipop ka një të shkuar të lavdishme që unë nuk ia mohoj dot. Atje DJ me famë botërore kanë luajtur deri në mëngjes. Dukej që ishte biznes i udhëhequr nga pasioni dhe jo vetëm nga dëshira për të fituar para. Por tani Lolli, ashtu si dhe klubet e tjera, më tepër fokusohet tek DJ shqiptarë, më të lirë dhe më të dashur për masën. Ata çdo javë gjenden në një vend ose në vendin tjetër, përherë duke luajtur të njëjtat këngë. Mjafton të kesh qenë dy herë në ambiente të tilla që të kuptosh se cila këngë do të luhet pas tjetrës, sepse publiku atë do. E pse të rrezikosh? Më e keqja është kur vijnë DJ të huaj, që në vendin e tyre nuk njihen fare, ndërsa këtu pompohen sikur të jenë pasardhësit e Tiestos. Edhe ata normalisht instruktohen të luajnë ato këngë që shqiptari i do.
Një person që ka vetëm 2-3 vjet që del, mendon se situata ka qenë kështu përherë, por kjo nuk është e vërtetë. Në vitet e fillimit në shumë klube luhej vetëm muzika elektronike e momentit (komerciale ose jo), e megjithatë klubet kishin goxha klientelë. Gjithsesi muzika është shije personale, dhe ashtu siç nuk dua të ndikohem nga të tjerët në shijet e mia, ashtu s'dua të ndikoj tek ju.
Trendi tjetër që konstatoj këtë vit është rritja qesharake e çmimeve. Nuk bëhet fjalë për rritje 10- 20% për të mbuluar ndonjë kosto ose ndonjë tekë të pronarit, por për rritje që shkojnë në 4-fish. “Kush është ai budalla që paguan 2000 Lek të reja për një pije,” do të thoni ju, por këtu qëndron hileja. Mjafton që një cep te lokalit ta quash “Zona VIP” dhe shqiptarët e kompleksuar do të paguajnë çdo lloj çmimi për pak vëmendje. VIP-at tashmë edhe check-in tipik të së shtunës nuk e bëjnë thjesht me emrin e lokalit, por duke i shtuar atij prapashtesën “Zona VIP”. Ta shohësh nga ana e marketingut kjo është një kryevepër, por ta shohësh prapa syzeve të psikanalistit, është çmenduri.
Këtë dukuri të shqiptarit për t’u “dukur” e kanë shfrytëzuar shume kompani të produkteve luksoze, por disa herë edhe kompanitë e produkteve mesatare kanë shpikur një produkt Premium për shqiptarët. Për shembull kompania “Philip Morris”, pas suksesit të madh në Emiratet e Bashkuara Arabe me produktin “Marlboro Premium Black”, vendosi ta hedhë këtë produkt edhe në Shqipëri. Me një party tepër eksluzive dhe dhurata për të ftuarit VIP, shqiptarët u prezantuan me këtë cigare që kushton dyfishi i paketës normale Marlboro për shkak se ka një ambalazh shumë cilësor të dizenjuar nga firma torineze “Pininfarina”. Besohet që edhe kanceri që shkakton kjo cigare të jetë i formës High Definition.

Një arsye tjetër e rritjes së çmimeve në jetën e natës, mund të jetë ardhja në Tiranë e një kontigjenti fëmijesh italianë, të cilët kanë dështuar me arsimin e tyre në Itali. Tani ata po provojnë shanset e tyre në një universitet privat italian në Shqipëri. Numri i tyre është shumë i vogël për të menduar një ndikim kaq të madh, por mendoni diçka: Moska është një nga qytetet më të shtrenjta në botë ndërkohë që të ardhurat e një personi mesatar janë nga më të ultat. Kjo ndodh sepse super të pasurit janë gati të paguajnë çmime më të larta për produkte dhe shërbime, duke përcaktuar me apo pa dashje standardin. Ashtu si në Moskë që standardet vendosen nga super të pasurit, ndoshta në Tiranë standardet po vendosen nga italianët e ZKM.